Seb Ponari i vendosi vetes një qëllim jashtëzakonisht sfidues: të përshkruajë 2750 kilometra për 40 ditë nga Cambridge drejt Tropojës.

Në më pak se pesë ditë në Shqipëri Seb Ponari ka nisur sfidën e radhës: të shkojë për tre ditë me vrap nga Tirana në Ksamil.

Në një intervistë për Report Ponari tha për gazetaren Joana Preja se ai nuk shikon sfidat, por qëllimet që i ka vendosur vetes.

“Pasi vendosa të vrapoja nga Cambridge në Tropojë, vendosa të vrapoj nga Tropoja në Ksamil. Sot ndodhem në Tiranë, më pas do të shkoj në Lushnje.

Për të ardhur deri këtu kalova 8 shtete dhe tani them që Shqipëria bëhet, pavarësisht se e shikoj shumë larg vendin tonë në lidhje me shtetet që shkela dhe kjo vjen për shkak të mentalitetit që njerëzit kanë”, tha Ponari ndërsa theksoi se disa sfida që ka pasur nga ky udhëtim ka qenë vapa dhe trafiku.

“Megjithatë unë nuk shikoj pengesat, por objektivat”, shtoi ai.

Ponari nënvizoi se pas përfundimit të kësaj sfide do t’i kthehet jetës së përditshme, por sërish do të merret me aktivitet sportiv.

“Pas meje gjithmonë më ndjek pas një makinë edhe tani është duke më pritur. Në Ksamil kam qenë me familjen vjet për 3 javë dhe do vij sërish në gusht. Aty kam provuar ushqimin më të mirë. Pas kësaj sfide do t’i kthehem jetës së përditshme. Po nuk e sfidova veten nuk ndihem i motivuar. Ka mbi tre muaj që nuk punoj, në ditë bëj mbi 70 km. Kam familje dhe në Angli më pret një biznes për të administruar, megjithatë do merrem sërish me sport. Dikur përdorja lëndë narkotike dhe tani atë e kam zëvendësuar me sport. Një ves nuk hiqet dhe lihet bosh, unë e kam kthyer në sport", përfundoi Ponari.